Elon Musk ka kritikuar ashpër regjisorin Alex Gibney dhe dokumentarin e tij katërorësh, i cili trajton jetën dhe ndikimin e miliarderit. Filmi u shfaq premierë këtë javë në Festivalin e Filmit në Venecia, ndërsa Gibney e përshkroi Musk si një person “jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Në një seri postimesh në platformën X, Musk e quajti dokumentarin “një sulm propagandistik që nuk e arrin objektivin” dhe shtoi se filmi ishte “tmerrësisht i mërzitshëm”. Ai e akuzoi regjisorin se kishte përfshirë kryesisht persona që kanë konflikte me të ose që nuk e njohin personalisht.
Musk hodhi poshtë edhe pretendimin e ish-partneres së tij, Ashley St. Clair, se ekipi i tij i kishte ofruar 40 milionë dollarë për të nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti për marrëdhënien e tyre. Regjisori, nga ana tjetër, deklaroi se gjatë realizimit të filmit kishte vërejtur “një ndjenjë frike” te disa prej personave të kontaktuar.


