Një brejtës shumë i rrallë dhe i rrezikuar, është parë në provincën Elazığ, në lindje të Turqisë. Kafsha u gjet më 24 gusht nga një banor lokal, i cili po çonte bagëtinë për të pirë ujë.
Në fillim ai mendoi se ishte një mi, por kur kafsha filloi të kërcente si kangur, kuptoi se kishte përballë diçka të pazakontë. Ai e mori në një vend të sigurt, e ushqeu me misër dhe grurë dhe tha se do ta kthente në natyrë pasi të rikuperohej.
Kjo specie gjendet në Listën e Kuqe të IUCN-së. Është si një mi kërcyes, që dallohet për këmbët e pasme shumë të gjata, këmbët e përparme të shkurtra dhe bishtin e gjatë, duke i dhënë pamjen e një “kanguri në miniaturë”. Këto kafshë jetojnë kryesisht në zona të thata dhe shkretëtira dhe mund të mbijetojnë edhe pa pirë ujë.


