Michelle Obama ka bërë një deklaratë të papritur për vajzat e saj, Malia dhe Sasha Obama, duke pranuar se nuk i mungon koha kur ato jetonin ende në shtëpinë familjare.
Ish-zonja e parë e SHBA-së foli hapur për këtë fazë të re të jetës gjatë një episodi të podcastit “IMO”, ku po bisedonte me vëllain e saj Craig Robinson dhe komedianin Jon Stewart për përvojën e prindërve pasi fëmijët rriten dhe largohen nga shtëpia.
Kur Stewart foli për mungesën e energjisë dhe gjallërisë që sjellin fëmijët në shtëpi, Michelle reagoi me humor duke thënë se ajo nuk e ndien njësoj.
“Nuk më mungojnë”, tha ajo, duke sqaruar menjëherë se i do shumë vajzat dhe vazhdon të kalojë kohë me to. Madje, tregoi se atë mbrëmje do të darkonte së bashku me to.
Michelle tregoi gjithashtu se reagimi i saj kur vajzat u larguan për të studiuar ishte krejt ndryshe nga ai i Barack Obamës. Sipas saj, ish-presidenti u emocionua dhe qau, ndërsa ajo e përjetoi largimin e tyre shumë më lehtë.
Ajo shpjegoi se tani ndihet më e qetë, pasi nuk përjeton më ankthin e dikurshëm të netëve kur shqetësohej se ku ndodheshin vajzat dhe nëse ishin mirë.
Për Michelle Obamën, pavarësia e Malia-s dhe Sasha-s është diçka pozitive. Ajo tha se e vlerëson rritjen dhe pavarësimin e tyre dhe se, pas shumë viteve të kaluara së bashku, ndien se i njeh vajzat e saj shumë mirë.
Malia dhe Sasha, të cilat përgjithësisht e ruajnë jetën e tyre larg vëmendjes së publikut, janë parë më rrallë në ngjarje publike. Në qershor ato u shfaqën së bashku me prindërit në hapjen e Obama Presidential Center në Chicago.


