Aktori Eric Dane e cilësoi serialin “Euphoria” si përvojën më të rëndësishme të karrierës së tij në një dokumentar të realizuar para vdekjes së tij, ku foli me emocion për rolin e Cal Jacobs dhe lidhjen e veçantë që krijoi me projektin. Dokumentari u filmua ndërsa aktori po përballej me betejën kundër sëmundjes ALS.
“Kjo ishte përvoja më e thellë dhe më domethënëse që kam pasur ndonjëherë si aktor,” shprehet Dane në dokumentarin “Euphoria: A Look Back”, duke shtuar se seriali i dha mundësinë të eksploronte emocionalisht një personazh kompleks dhe sfidues.
Në intervistë, ai kujtoi me mall edhe kolegun e ndjerë Angus Cloud, duke e cilësuar një talent të jashtëzakonshëm, ndërsa krijuesi i serialit, Sam Levinson, e vlerësoi Dane për profesionalizmin, përkushtimin dhe elegancën që solli në çdo skenë. Dokumentari përfshin gjithashtu rrëfime nga aktorë të tjerë të kastit, mes tyre Jacob Elordi.
Eric Dane luajti rolin e Cal Jacobs në të tre sezonet e “Euphoria”, një prej serialeve më të ndjekur të HBO-së. Rrëfimi i tij në dokumentar është një nga paraqitjet e fundit publike të aktorit, duke i dhënë një peshë edhe më të madhe fjalëve të tij për projektin që e konsideronte kulmin e karrierës.


