Qyteti i Birminghamit do të nderojë legjendën e rock-ut Ozzy Osbourne duke shpallur 22 korrikun si “Ditën e Ozzy Osbourne”, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.
Një vit pasi këngëtari i Black Sabbath ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, qyteti ku ai lindi do të organizojë një sërë aktivitetesh për të kujtuar trashëgiminë e tij muzikore.
Programi përfshin koncerte surprizë nga orkestra Bostin Brass në pika të ndryshme të qytetit, si dhe një performancë speciale të Orkestrës Simfonike të Birminghamit në qendrën tregtare Bullring.
Adhuruesit do të kenë mundësi të vizitojnë ekspozitën “Ozzy Osbourne: Working Class Hero” në Muzeun dhe Galerinë e Artit të Birminghamit, si dhe itinerarin “Celebrating Black Sabbath in the City”, kushtuar historisë së grupit legjendar.
Përfaqësuesit e qytetit theksuan se kjo ditë është një mënyrë për të festuar ndikimin e jashtëzakonshëm të Ozzy Osbourne në muzikën botërore dhe lidhjen e tij të fortë me qytetin ku nisi karrierën.
Gjatë karrierës së tij, si me Black Sabbath ashtu edhe si artist solo, Ozzy performoi plot 52 herë në Birmingham. Koncerti i tij i fundit ishte spektakli lamtumirës “Back to the Beginning” në stadiumin Villa Park, vetëm tri javë para vdekjes, ku u ribashkua për herë të parë pas më shumë se dy dekadash me formacionin origjinal të Black Sabbath.


