Mary Jo “MJ” Campbell, nëna e Kris Jenner dhe gjyshja e familjes Kardashian-Jenner, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Lajmin e hidhur e bëri të ditur vetë Kris Jenner përmes një postimi prekës në Instagram, ku e quajti të ëmën “zemra e familjes”.
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë atë që ajo ka qenë për mua dhe dhimbjen që ndiej duke i thënë lamtumirë. Mamaja ime na mësoi të duam familjen pa kushte, të jemi të sjellshëm dhe të mos e marrim kurrë si të mirëqenë kohën me njerëzit që duam,” shkroi Jenner, duke shtuar se zemra e saj është “copëtuar në një milion pjesë”.
Edhe Kim Kardashian i bëri një homazh gjyshes së saj, të cilën e quajti “shoqen më të mirë” dhe vlerësoi ndikimin që kishte pasur në jetën e saj, ndërsa Kylie Jenner ndau një video të vjetër me MJ në rrjetet sociale.
MJ u bë e njohur për publikun falë paraqitjeve të shumta në “Keeping Up with the Kardashians” dhe “The Kardashians”, ku fitoi zemrat e fansave me humorin, ngrohtësinë dhe lidhjen e veçantë me fëmijët dhe nipërit e mbesat.


