Gjithnjë e më shumë të rinj të Gjeneratës Z në Nju Jork po përdorin pushimin e drekës për të bërë një sy gjumë në kinema, kapsula të posaçme për gjumë apo edhe për të gjetur një vend të qetë ku të qajnë dhe të çlirojnë stresin. Sipas ekspertëve, kjo nuk lidhet me dembelizmin, por me nevojën për pushim dhe rikuperim pas ngarkesës së përditshme në punë.
Neuropsikologët theksojnë se një pushim i shkurtër prej 10 deri në 20 minutash mund të përmirësojë përqendrimin, vendimmarrjen dhe produktivitetin. Megjithatë, ata paralajmërojnë se pushimi nuk mund të zëvendësojë një ambient të shëndetshëm pune dhe se problemet si menaxhimi i dobët, ngarkesa e tepërt apo atmosfera toksike kërkojnë zgjidhje më të thella sesa një sy gjumë gjatë orarit të punës.


