Princi Harry ka reaguar publikisht pasi humbi betejën gjyqësore kundër Associated Newspapers Limited, botuesit të gazetave britanike Daily Mail dhe Mail on Sunday, duke e cilësuar vendimin e gjykatës si “një farsë e plotë dhe e qartë”.
Në një deklaratë të përbashkët me Baroness Doreen Lawrence, Harry kritikoi ashpër vendimin e gjykatës, duke pretenduar se provat e paraqitura nuk u morën në konsideratë dhe se gjykata u mbështet vetëm në mohimet e gazetarëve. Ai shtoi se vendimi krijon standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve që lidhen me privatësinë dhe mediat.
Padia ishte ngritur nga Harry dhe disa figura të njohura, përfshirë Elton John dhe Elizabeth Hurley, të cilët akuzonin botuesin për mbledhje të paligjshme të informacionit privat përmes hetuesve privatë dhe metodave mashtruese. Megjithatë, gjykatësi vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e tyre.
Pavarësisht humbjes në gjykatë, Harry u shfaq në Londër në një aktivitet të “Invictus Games”, ku u pa i qetë dhe i buzëqeshur. Ndërkohë, botuesi i Daily Mail e cilësoi vendimin si një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit dhe ka kërkuar rikuperimin e kostove ligjore nga paditësit.


