Miliona njerëz po eksplorojnë me dëshirë korridore të errëta, bodrume bosh dhe ambiente të frikshme që nuk ekzistojnë në botën reale. Fenomeni viral i internetit “Backrooms” po tërheq gjithnjë e më shumë përdorues, ndërsa studiuesit thonë se ai përfaqëson një formë krejtësisht të re të turizmit digjital.
Një studim i realizuar nga Universiteti Lancaster në Mbretërinë e Bashkuar tregon se këto hapësira virtuale po ndryshojnë mënyrën se si njerëzit përjetojnë frikën, kureshtjen dhe ndjenjën e përkatësisë në internet. Ndryshe nga turizmi tradicional i vendeve historike apo tragjike, “Backrooms” janë destinacione që ekzistojnë vetëm në kulturën digjitale dhe ndërtohen përmes historive, videove dhe përmbajtjeve të krijuara nga vetë përdoruesit.
Sipas studiuesve, ky fenomen është një formë e re e asaj që ata e quajnë “para-terrestrial dark tourism” eksplorim i vendeve që nuk ekzistojnë fizikisht, por që përjetohen si reale dhe emocionale. Përdoruesit ndihen sikur po vizitojnë një vend të vërtetë, edhe pse ai ekziston vetëm në imagjinatë dhe në botën virtuale.
Autorët e studimit theksojnë se interneti po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion më vete, ku njerëzit kërkojnë përvoja unike dhe emocione të forta. Interesi për “Backrooms” pritet të rritet edhe më tej me publikimin e filmit të ri të prodhuar nga A24, i cili do ta sjellë këtë fenomen të internetit edhe më pranë publikut të gjerë.


