Madonna ka zbuluar se filmi biografik për jetën e saj u anulua pas mosmarrëveshjeve me studion Universal Pictures për buxhetin. Sipas artistes, ajo madje propozoi që xhirimet të zhvilloheshin në një vend në Ballkan për të ulur kostot, por ideja nuk u pranua.
“Gjeta një mënyrë për ta realizuar filmin me më pak para, por mendoj se kjo ide nuk u pëlqeu. Ndoshta thjesht nuk besuan tek unë”, tha këngëtarja në një intervistë për revistën Interview.
Madonna theksoi se jeta e saj ka qenë plot sfida dhe suksese, ndaj besonte se historia meritonte një produksion me buxhet të madh.
Projekti u njoftua për herë të parë në vitin 2020 dhe Madonna planifikonte ta drejtonte vetë filmin, bazuar në një skenar të shkruar së bashku me skenaristen Diablo Cody. Për rolin kryesor ishte përzgjedhur aktorja Julia Garner, por në vitin 2023 projekti u anulua përfundimisht.
Këngëtarja zbuloi gjithashtu se më vonë pati bisedime me Netflix për ta shndërruar historinë e saj në një serial, por edhe ky projekt nuk u realizua për shkak të problemeve me të drejtat e skenarit.


