Aktori britanik Hugh Laurie ka pranuar se ishte “pak i dehur” kur reagoi ashpër ndaj një gazetareje që kritikoi serialin e famshëm mjekësor House.
Debati nisi pasi gazetarja Janet Murray publikoi një koment në rrjetet sociale ku vlerësonte se seriali ndiqte pothuajse të njëjtën formulë narrative në çdo episod. Komenti i saj u bë viral dhe tërhoqi vëmendjen e Laurie-t, i cili iu përgjigj me ironi duke mbrojtur skenaristët e serialit.
Megjithatë, pasi reagimi i tij nxiti komente negative ndaj gazetares, aktori kërkoi falje publikisht. Ai theksoi se qëllimi i tij nuk ishte të nxiste sulme ndaj saj, por të mbronte autorët e serialit që i vlerëson shumë.
Nga ana e saj, Murray e pranoi faljen dhe deklaroi se nuk mban mëri ndaj aktorit. Kështu, përplasja që tërhoqi vëmendje të madhe në rrjetet sociale përfundoi në mënyrë miqësore.


