Aktori i njohur hollivudian Richard Gere ka kritikuar ashpër presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një “maniak” që po shkatërron vlerat dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë një forumi për lirinë në Oslo të Norvegjisë, Gere deklaroi se po jeton “një nga momentet më të errëta” që ka parë ndonjëherë dhe shprehu habinë se si një figurë e tillë ka arritur të bëhet presidente e SHBA-së.
“Sinqerisht, kush do ta kishte menduar se Amerika do të përjetonte një kthesë të tillë? Kush do ta kishte menduar se një maniak i tillë mund të bëhej president i Shteteve të Bashkuara?”, tha aktori para qindra pjesëmarrësve.
Gere akuzoi Trumpin se që nga dita e parë në detyrë ka punuar për të çmontuar shumë nga arritjet dhe vlerat pozitive të qeverisë dhe shoqërisë amerikane.
Aktori gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e apatisë qytetare, duke theksuar se demokracia kërkon angazhim të vazhdueshëm nga qytetarët.
“Duhet t’i shohim shenjat dhe të qëndrojmë vigjilentë. Nuk duhet të lejojmë që indiferenca të krijojë hapësirë për autoritarizëm”, u shpreh ai.
Richard Gere, i njohur për filmat Pretty Woman dhe American Gigolo, është prej vitesh aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e çështjes së Tibetit. Që nga viti 2024 ai jeton në Spanjë me bashkëshorten e tij, Alejandra Silva.


