Bonnie Tyler ndodhet në gjendje kome të induktuar pas një operacioni urgjent në zorrë, i kryer në një spital në Faro të Portugalisë. Sipas përfaqësuesit të saj, ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme, ndërsa mjekët vendosën ta mbajnë këngëtaren 74-vjeçare në gjendje kome të kontrolluar për t’ia lehtësuar procesin e rikuperimit.
Lajmi u konfirmua edhe përmes rrjeteve sociale të artistes, ku u bë e ditur se ajo po rikuperohet pas operacionit. Bonnie Tyler, emri i vërtetë i së cilës është Gaynor Hopkins, u bë ikonë botërore në vitet ’80 me hitin “Total Eclipse of the Heart”, ndërsa gjatë karrierës solli edhe këngë të njohura si “Holding Out for a Hero” dhe “It’s a Heartache”.
Këngëtarja kishte planifikuar një turne evropian këtë vit për të shënuar 50-vjetorin e hitit “Lost In France”, me koncerte në disa vende të Evropës. Në vitin 2023 ajo u nderua me titullin MBE për kontributin e saj në muzikë.


