Angelina Jolie ka shënuar një fitore të rëndësishme ligjore në konfliktin e vazhdueshëm me ish-bashkëshortin Brad Pitt lidhur me kantinën franceze Château Miraval. Një gjykatë në Los Angeles vendosi që Jolie nuk është e detyruar të dorëzojë 22 komunikime private, duke pranuar argumentin se ato mbrohen nga privilegji mes klientit dhe avokatit.
Beteja ligjore mes ish-çiftit vazhdon prej vitit 2022, pasi Pitt paditi Jolie për shitjen e pjesës së saj të kantinës, tek një kompani e lidhur me Stoli Group, duke pretenduar se kjo ishte bërë pa miratimin e tij. Jolie ka mohuar vazhdimisht se ekzistonte një marrëveshje e tillë dhe e ka akuzuar Pitt për përpjekje kontrolluese dhe presion ligjor. Gjykatësi la të hapur mundësinë që çështja të rishqyrtohet në të ardhmen nëse dalin prova të reja, por për momentin vendimi konsiderohet një fitore e madhe për aktoren.


