Një histori e jashtëzakonshme nga Britania ka tërhequr vëmendjen, pasi një djalë i vogël u bë një nga pacientët më të rinj që i është nënshtruar një procedure shumë të rrallë transfuzioni gjaku, që kur ishte ende në barkun e nënës. Foshnja, Arthur, iu nënshtrua ndërhyrjes në vetëm 16 javë shtatzënie, pasi u prek nga një virus që shkaktoi anemi të rëndë dhe probleme serioze me zemrën.
Procedura, e njohur si transfuzion intrauterin, konsiderohet ndër më të vështirat dhe më të rrezikshmet në mjekësi, por në këtë rast rezultoi shpëtuese. Falë gjakut të dhuruar nga disa donatorë dhe ndërhyrjes së mjekëve, foshnja arriti të mbijetojë dhe sot është një djalë i shëndetshëm dhe aktiv.


