Edhe pse sipas kalendarit astronomik sot, më 20 mars, shënohet fillimi i pranverës, moti nuk po reflekton ende plotësisht këtë ndryshim stine.
Temperaturat gjatë ditës mbeten relativisht të ulëta për këtë periudhë, duke u luhatur rreth 6°C, çka e bën që ndjesia të jetë më shumë dimërore sesa pranverore. Ky kontrast është i zakonshëm, pasi kalimi nga dimri në pranverë shpesh shoqërohet me mot të paqëndrueshëm dhe temperatura të ndryshueshme.
Në traditën popullore shqiptare, kjo periudhë njihet si “Plakat e Marsit”, një shpjegim simbolik për rikthimin e të ftohtit në ditët e para të pranverës.
Sipas gojëdhënës, një herë e një kohë, një plakë shkoi në mal për të kullotur bagëtitë. Duke parë motin e ngrohtë dhe me diell, ajo iu drejtua dimrit dhe tha:
“Tani do t’i kullos për qejf bagëtitë. Lamtumirë dimër, shkofsh në djall!”
Dimri u hidhërua dhe iu drejtua muajit shkurt:
“Shkurt, o im vëlla, më jep tri ditë hua, ta ngrij plakën me gjithçka.”
Menjëherë pas kësaj, moti ndryshoi papritur, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu bashkë me bagëtitë në mal. Sipas gojëdhënave, kjo ndodhi në Malin e Tomorrit, ku edhe sot përmendet një gur në formën e një plake, ndërsa uji që buron aty quhet “lotët e plakës”.
Kjo legjendë është e njohur në të gjithë Ballkanin dhe ekziston në disa variante, por mesazhi mbetet i njëjtë:
Dimri shpesh “kthehet” edhe për disa ditë, para se pranvera të vendoset plotësisht.


