Për shumë njerëz telefoni është gjëja e fundit që shohin para se të flenë dhe e para që marrin në dorë sapo zgjohen. Në kohën e lidhjes së vazhdueshme me internetin, telefoni është bërë pothuajse një “zgjatim i dorës”. Por ekspertët paralajmërojnë se mbajtja e tij pranë shtratit mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit.
Ekranet e telefonave lëshojnë dritë blu, e cila pengon prodhimin e melatoninës hormonit që ndihmon trupin të flejë.
Kur para gjumit kaloni kohë duke parë rrjetet sociale, duke parë video apo duke lexuar mesazhe, truri merr sinjalin sikur është ende ditë.
Edhe pasi të flini, telefoni mund të ndërpresë ciklin e gjumit. Një vibrim, një njoftim apo një dritë nga ekrani mund të prishë fazat e gjumit të thellë.
Kur telefoni ndodhet pranë jastëkut, shumë njerëz mbeten në një gjendje të vazhdueshme “gatishmërie”. Ndjenja se duhet të përgjigjeni menjëherë në mesazhe apo njoftime e bën më të vështirë relaksimin.
Shumë njerëz pranojnë se, kur zgjohen gjatë natës, automatikisht kontrollojnë telefonin, një zakon që rrit stresin dhe prish më tej gjumin.
Nëse alarmi është arsyeja pse telefoni qëndron pranë jastëkut, një orë zgjimi klasike mund të jetë një zgjidhje shumë më e mirë.
Mesazhet dhe njoftimet mund të presin. Gjumi i mirë, nga ana tjetër, është thelbësor për energjinë, përqendrimin dhe humorin tuaj gjatë ditës.
Ndoshta sonte është momenti i duhur për ta lënë telefonin pak më larg nga jastëku.


