Një eksperiment i pazakontë në qytetin Solingen të Gjermanisë ka dhënë rezultate që po hapin debat në mbarë vendin. Rreth 1.400 nxënës të klasave të pesta hoqën dorë nga rrjetet sociale jo vetëm në shkollë, por edhe në shtëpi. Rezultati? Fëmijët po flasin dhe po luajnë sërish me njëri-tjetrin.
“Oborret e shkollës janë gjallëruar përsëri. Më parë nxënësit rrinin në cepa, të përkulur mbi telefonat,” thotë drejtori i shkollës Alexander Coppel, Andreas Tempel. Sipas tij, ndalimi funksionoi shumë mirë, por thelbësore ishte mbështetja e prindërve.
Psikologu shkollor Markus Surrey, i cili ndjek projektin, flet për një “epidemi të problemeve psikike” te të rinjtë. Sipas tij, ankthi dhe depresioni janë rritur ndjeshëm, ndërsa shumë nxënës pranojnë varësi nga kontrollimi i vazhdueshëm i telefonit.
Studimet tregojnë se të rinjtë 12-19 vjeç kalojnë mesatarisht 231 minuta në ditë në telefon, shpesh duke fjetur më pak dhe duke ardhur të lodhur në shkollë.
Projekti ka ndezur edhe debat politik. Partitë CDU dhe SPD po diskutojnë vendosjen e një moshe minimale 14 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale. Sipas tyre, algoritmet që krijojnë varësi dhe fenomenet si bullizmi online përbëjnë rrezik serioz për fëmijët.
Megjithatë, disa përfaqësues të nxënësve kundërshtojnë ndalimin total, duke argumentuar se rrjetet sociale janë bërë pjesë e komunikimit të përditshëm dhe se zgjidhja duhet të jetë edukimi për përdorim të shëndetshëm.
Në Solingen, ndalimi po zgjerohet edhe në klasa të tjera. Psikologët theksojnë se ndalimi është vetëm hapi i parë më e rëndësishme është ndërtimi i vetëkontrollit dhe dialogu i hapur mes prindërve dhe fëmijëve.
Mesazhi është i qartë: kur telefoni bie nga dora, fëmijëria rikthehet në oborr.


