Shumë aktorë pranojnë role në zhanre që privatisht nuk i preferojnë dhe Emily Blunt është një prej tyre.
Edhe pse ka luajtur në filmin e suksesshëm horror A Quiet Place, aktorja britanike ka pranuar hapur se… nuk i pëlqejnë aspak filmat horror.
“I urrej filmat horror,” ka thënë ajo në një intervistë, duke shtuar se pothuajse kurrë nuk i shikon dhe madje e ka quajtur veten “një frikacake të vërtetë”.
Blunt nuk është e vetmja. Edhe aktore si Jamie Lee Curtis dhe Neve Campbell, të njohura për rolet në “Halloween” dhe “Scream”, kanë pranuar se në jetën private nuk janë fansa të filmave të frikshëm.
Megjithatë, për Emily Blunt, ironia është edhe më e madhe, pasi rolet në horror i kanë shkuar për shtat në mënyrë të jashtëzakonshme.
Blunt nuk është kufizuar kurrë në një zhanër të vetëm. Ajo e nisi karrierën me drama si “My Summer of Love”, u bë ikonike me komedinë The Devil Wears Prada, ndërsa më vonë eksperimentoi me aksion, fantashkencë dhe madje mjuzikë.
Interesante është se filmi i saj i parë horror ishte “Wind Chill” (2007), dhe ajo e pranoi rolin për një arsye shumë personale: për t’i bërë qejfin vëllait të saj 16-vjeçar.
“Mendova se ishte diçka krejt ndryshe nga çfarë kisha bërë më parë. Në fakt, po e bëj këtë për vëllain tim – ai mendonte se filmat e mi të mëparshëm ishin të mërzitshëm, ndërsa ky i pëlqente,” kishte treguar ajo.
Megjithatë, përtej humorit, Blunt ka theksuar se e tërheq sfida si aktore.
“E dua sfidën dhe më tërheq ideja për të luajtur atë frikë të vërtetë, paralizuese,” ka thënë ajo.


