Prej kohësh qarkullonin spekulime se bashkëpunimi mes Sam Altman dhe dizajnerit legjendar të Apple-it Jony Ive do të sillte në treg “iPhone-in e inteligjencës artificiale”.
Por informacionet e fundit sugjerojnë se realiteti mund të jetë shumë më pak revolucionar nga sa pritej.
Pas blerjes së kompanisë së Ive, io Products, nga OpenAI, detajet për produktet konkrete kanë qenë të pakta. Tani, raportime të reja zbulojnë se pajisjet e para mund të jenë… mjaft të zakonshme.
Sipas burimeve të cituara nga The Information, pajisja e parë që pritet të prezantohet mund të jetë një altoparlant i zgjuar me kamerë, i pajisur me inteligjencë artificiale.
Ky pajisje do të:
- Njohë përdoruesin përmes kamerës
- Analizojë ambientin përreth
- Ofrojë funksione të avancuara AI
- Mbështesë njohjen e fytyrës për autorizime (si Face ID)
Megjithatë, shumë ekspertë pyesin: përse do të përdorte dikush një altoparlant me kamerë për blerje online, kur tashmë ka telefon, tablet apo kompjuter?
Pajisja pritet të dalë në treg më së herët në fillim të vitit të ardhshëm, me një çmim të mundshëm mes 200 dhe 300 dollarë.
Një tjetër produkt në zhvillim janë syzet e zgjuara, një treg ku aktualisht dominon Mark Zuckerberg me pajisjet e Meta-s, ndërsa edhe Apple po përgatit alternativa.
OpenAI thuhet se po punon për modelin e vet, por ai nuk pritet para vitit 2028.
Raportet përmendin edhe një produkt të tretë surprizë: një llambë inteligjente me AI. Janë zhvilluar disa prototipe, por detajet mbi funksionalitetin e saj mbeten të paqarta.
Ndërsa pritjet për një pajisje revolucionare që do të ndryshonte mënyrën si përdorim teknologjinë ishin të larta, duket se planet aktuale të OpenAI janë më pragmatike.
A do të arrijnë këto pajisje të bëhen “iPhone-i i inteligjencës artificiale”? Apo do të jenë thjesht një tjetër seri gadget-esh në tregun tashmë të mbushur?


