Pas hapave të fortë të vendeve si Australia për të frenuar ndikimin e dëmshëm të rrjeteve sociale tek të rinjtë, edhe Britania ka paralajmëruar masa të reja për të mbrojtur fëmijët në internet. Qeveria synon të mbyllë shpejt boshllëqet ligjore dhe të veprojë më ashpër ndaj elementëve të platformave që shkaktojnë varësi, përfshirë doomscrolling-un dhe mekanizmat që mbajnë përdoruesit të lidhur për orë të tëra. Një nga propozimet më të diskutueshme është mundësia e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç, si dhe ruajtja e të dhënave nga pajisjet e fëmijëve në rast të një tragjedie.
Një tjetër fokus është përfshirja e teknologjive të reja bazuar në inteligjencën artificiale në legjislacionin ekzistues, pasi ligjet aktuale nuk e parashikonin shfaqjen e chatbot-ëve modernë dhe ndikimin që ata mund të kenë te të miturit. Qeveria britanike synon të krijojë mekanizma që lejojnë marrjen e vendimeve të shpejta brenda pak muajsh në vend të viteve që zakonisht kërkohen për ndryshime ligjore. Sipas autoriteteve, synimi është që Britania të jetë lidere botërore në sigurinë online dhe të ofrojë mbrojtje më të fortë për gjeneratat e reja në një mjedis dixhital që po ndryshon me shpejtësi.


