Roboti humanoid “Roby” u bë menjëherë një atraksion në Mostar, kur gjatë paraqitjes së tij tek Ura e Vjetër refuzoi me humor të hidhej në lumë, duke thënë se kjo nuk do t’i bënte mirë baterisë. Për shkak të shiut, ura ishte e rrëshqitshme dhe ai pati pak vështirësi gjatë ecjes, por e përfundoi me sukses demonstrimin. Më pas, pranë statujës së Bruce Lee-së, Roby imitoi lëvizje kung fu, duke bërë që turma të shpërthente në të qeshura.
Qëllimi i shfaqjes ishte të afronte robotët humanoidë me publikun dhe të nxisë diskutime për rolin e tyre në jetën e përditshme. Roby është i aftë të reagojë ndaj emocioneve njerëzore dhe përfaqëson një hap përpara në ndërveprimin mes njeriut dhe teknologjisë. Përdorimet e para pritet të jenë në turizëm, ku robotët mund të shërbejnë si ndihmës apo recepsionistë, ndërsa në të ardhmen mund të ndihmojnë edhe në punët e shtëpisë. Paraqitja në Mostar u pa si një kombinim unik mes kulturës tradicionale të qytetit dhe teknologjisë moderne.


