Aktori Sean Penn u bë sërish temë diskutimi gjatë ceremonisë së Golden Globe Awards, pasi u filmua duke ndezur një cigare brenda sallës së hotelit Beverly Hilton – ndonëse pirja e duhanit është e ndaluar në atë ambient.
Penn, 65 vjeç, ishte ulur në të njëjtën tavolinë me Leonardo DiCaprio dhe u pa duke e shuar cigaren në një gotë bosh. Sipas Vanity Fair, ndërsa disa të ftuar kërkuan një zonë të posaçme për duhanpirës jashtë sallës, Penn thjesht ndezi cigaren në vend.
Në rrjete sociale reagimet varionin nga shaka deri te komente ironike si: “Nëse je Sean Penn, gjithçka lejohet”.
Aktori u përmend edhe në shakatë hapëse të prezantueses Nicky Glazer, të cilat ai i priti me të qeshura. Ky nuk është rasti i parë kur Penn injoron rregullat për pirjen e duhanit në publik – ai ka bërë të njëjtën gjë edhe në një intervistë me Stephen Colbert në vitin 2018 dhe gjatë një festivali filmi në Marrakesh në vitin 2024.
Ngjarja ka rihapur debatin për “privilegjet” e yjeve të mëdhenj të Hollivudit dhe kufirin mes karizmës personale dhe respektimit të rregullave publike.


