Aktori hollivudian Gerard Butler, i cili rikthehet në rolin e John Garrity në filmin “Greenland 2: Migration”, ka deklaruar se në jetën reale nuk do të kishte aspak shanse të mbijetonte në një skenar postapokaliptik. “Nuk kam besim fare në aftësitë e mia për të mbijetuar. Do të isha një nga të parët që do të binte,” tha aktori me sinqeritet.
Filmi, vazhdim i trilerit të suksesshëm të vitit 2020, ndjek John-in, bashkëshorten e tij Allison dhe djalin e tyre Nathan ndërsa përpiqen të gjejnë strehim të sigurt në Francë, pasi kanë shpëtuar fillimisht në një bunker në Grenlandë gjatë kërcënimit të një komete. Butler theksoi se tema e mbijetesës pati jehonë të fortë tek publiku sidomos gjatë pandemisë, duke e bërë historinë edhe më reale dhe personale.


