Me ardhjen e ditëve më të ftohta dhe më të shkurtra, shumë njerëz përballen me lodhje fizike dhe mendore, ndërsa sistemi imunitar dobësohet. Mjekët paralajmërojnë se mungesa e diellit ul nivelin e vitaminës D, gjë që e bën trupin më të ndjeshëm ndaj viruseve të stinës. Po ashtu, ajri i thatë dhe temperaturat e ulëta krijojnë kushte të favorshme për qarkullimin e infeksioneve, sidomos në ambiente të mbyllura si shkolla apo zyrat.
Për të shmangur infektimet sezonale, ekspertët këshillojnë disa hapa të thjeshtë: bëni kontrolle rutinë shëndetësore, pini mjaftueshëm ujë (mundësisht me limon ose xhenxhefil), flini mjaftueshëm, reduktoni stresin dhe plotësoni vitaminën D përmes ushqimeve si peshku, vezët dhe produktet e pasuruara. Gjithashtu, qëndroni aktivë edhe gjatë dimrit dhe konsumoni ushqime që forcojnë imunitetin – si perime jeshile, agrume, drithëra të plota dhe proteina të pastra. Një stil jetese i shëndetshëm është mburoja më e mirë kundër viruseve të sezonit.