Violet Affleck, vajza 19-vjeçare e Ben Affleck dhe Jennifer Garner, foli në selinë e OKB-së në Nju Jork gjatë një takimi kushtuar iniciativës Healthy Indoor Air: A Global Call to Action. Me maskë N95, ajo kërkoi rregulla të qarta për ajrin e pastër në ambiente të mbyllura dhe paralajmëroi se Covid-19 ende po shkakton pasoja serioze tek fëmijët, duke përmendur dëmtimet e mundshme të zemrës, trurit dhe organeve të tjera.
Në fjalimin e saj, Violet tha se gjenerata e saj po përjeton “të tashmen e vjedhur”, sepse fëmijët nuk kanë pasur zgjedhje reale e as informacion të mjaftueshëm për vendimet që prekin shëndetin e tyre. Ajo propozoi që ajri i filtruar të njihet si e drejtë njerëzore, po aq e natyrshme sa uji i filtruar, dhe kërkoi infrastrukturë të qëndrueshme për ajër të pastër që të mbrojë gjeneratat e ardhshme.