Grupi i hakerëve ShinyHunters ka arritur të marrë të dhëna të Google të ruajtura në sistemin Salesforce. Kompania ka konfirmuar incidentin, duke theksuar se janë komprometuar vetëm informacione bazë si emra përdoruesish dhe kompanish, ndërsa fjalëkalimet dhe të dhënat sensitive nuk janë prekur. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky informacion mund të përdoret për sulme “phishing”, duke e bërë të rrezikuar çdo individ, organizatë apo kompani që përdor shërbimet e Google.
Disa përdorues tashmë kanë raportuar raste ku mashtrues të prezantuar si punonjës të Google kanë tentuar të marrin kontroll mbi llogaritë Gmail përmes rikuperimeve të rreme të fjalëkalimeve ose duke shfrytëzuar adresa të vjetra të qasjes në Google Cloud. Google rekomandon aktivizimin e programeve të avancuara të mbrojtjes, përdorimin e kodimeve të sigurisë (passkeys) dhe vigjilencë maksimale ndaj telefonatave apo emaileve që kërkojnë ndryshime të fjalëkalimit pasi punonjësit e saj nuk e bëjnë kurrë këtë.