Victoria Beckham, flet për herë të parë hapur për betejat personale me presionin mediatik, imazhin dhe sfidat familjare në një dokumentar të ri që do të publikohet në Netflix në shtator 2025.
Në dokumentarin me tri pjesë, Victoria rrëfen se si vite të tëra në qendër të vëmendjes, që nga koha si “Posh Spice” te karriera si dizajnere, i kanë lënë pasojë në vetëbesim dhe shëndet mendor. Ajo përshkruan periudha të vështira me dietë të rreptë, stërvitje të përditshme dhe ndjesinë se duhej të kontrollonte çdo aspekt të pamjes së saj. Një nga momentet më tronditëse që përmendet është kur u detyrua të peshohej në TV live vetëm dy muaj pas lindjes së djalit të saj Brooklyn.
Ajo tregon se megjithëse nuk dëshiron të viktimizohet, shpesh nuk është ndjerë rehat as në pushime me fëmijët për shkak të pasigurive për trupin e saj. “Ka lot në këtë dokumentar,” ka thënë ajo për Bloomberg.
Dokumentari ndjek përgatitjet e saj për sfilatën më të madhe të modës të mbajtur në Paris në shtator 2024. Në të shfaqen shkurtimisht edhe djali i madh Brooklyn dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz. Burime pranë familjes konfirmojnë se Brooklyn nuk flet më me prindërit dhe as me vëllezërit e motrën e tij, pas një krisjeje që nisi përpara dasmës së tij në vitin 2022. Çifti madje mungoi edhe në ditëlindjen e 50-të të David Beckham.