Aktorja dhe prezantuesja Drew Barrymore është kritikuar sërish për sjelljen e saj në emisionin “The Drew Barrymore Show”. Intimiteti i saj me të ftuarit, përfshirë kontaktin fizik dhe shkeljen e hapësirës personale, ka shkaktuar më parë reagime negative në rrjetet sociale.
Këtë herë, e ftuar në emision ishte aktorja e famshme Cate Blanchett, e cila foli për dashurinë e saj për paruket që përdor në rolet e saj në filma. Gjatë intervistës, Cate vendosi një paruke ngjyrë kafe dhe, kur e hoqi, disa fije të flokëve të saj natyralë mbetën të pabëra. Drew reagoi menjëherë, iu afrua, ia rregulloi flokët dhe i tha: “Thjesht bëje gjithçka perfekte. Ti meriton të dukesh bukur”.
Cate u përgjigj me shaka: “Oh, faleminderit, Drew sapo më përkëdheli.” Ndërsa momenti ishte miqësor, shumë shikues shprehën mendime të përziera në mediat sociale.