Të shtunën, më 26 korrik, dy aktorët u panë duke kërcyer së bashku në koncertin e mbajtur në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Në një video të publikuar në Instagram nga producenti dhe DJ britanik Goldie, Cruise dhe De Armas shfaqen në sfond duke qëndruar shumë pranë njëri-tjetrit. Aktori madje duket se përpiqet t’i mbajë dorën aktores, duke rritur dyshimet për një marrëdhënie përtej miqësisë.
Tom Cruise u shfaq i qeshur dhe në humor të mirë, duke pozuar për selfie me DJ Goldie gjatë koncertit. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka konfirmuar lidhjen, janë fotografuar disa herë së bashku gjatë këtij viti në dalje të ndryshme publike.
Të dytë u panë për herë të parë bashkë në shkurt, gjatë një darke në Londër, nga e cila u larguan me një taksi të përbashkët. Një burim për revistën People atëherë tha se bëhej fjalë për një takim pune, ku aktorët diskutonin për bashkëpunime të mundshme në projekte të ardhshme.
Në muajin maj, Ana de Armas festoi ditëlindjen e saj të 37-të në Londër me Tom Cruise në krah. Më 1 maj, ata u fotografuan duke udhëtuar së bashku me helikopter, ndërsa më vonë u panë duke u larguar bashkë nga festa e 50-vjetorit të David Beckham, të ulur pranë njëri-tjetrit në sediljen e pasme të një SUV-i luksoz. Në një intervistë të mëvonshme, aktorja u shpreh për “marrëdhënien argëtuese” që ka me Cruise, duke zbuluar gjithashtu se janë të përfshirë në disa projekte së bashku.
Pjesëmarrja e Tom Cruise në koncertin e Oasis u konsiderua befasuese, duke pasur parasysh përplasjet publike që ai ka pasur në të kaluarën me vëllezërit Gallagher. Në dokumentarin “Lord Don’t Slow Me Down” të vitit 2007, Noel Gallagher ishte shprehur me fjalë jo të mira për aktorin, duke thënë: “Ai është një kopil i vogël dhe nuk ka qenë në asnjë film të mirë.” Liam shtoi: “E urrej Tom Cruise. Çmenduri. Atë dhe Michael Owen.”