Përditësimi i Google për aplikacionin Find My Device, i cili sjell kartelën “People”, e cila tregon kontaktet që ndajnë lokacionin e tyre me përdoruesin dhe anasjelltas, tani është i disponueshëm për përdoruesit e pajisjeve me sistemin operativ Android.
Google e njoftoi këtë funksion në fillim të muajit dhe ai filloi të arrijë tek përdoruesit këtë javë. Falë këtij përditësimi, përdoruesit mund të shohin lokacionin e miratuar të kontakteve të tyre në hartë në kohë reale, mbi një listë që tregon adresat e pozicioneve të tyre aktuale, distancën e tanishme dhe kohën e fundit të azhurnimit të informacionit.
Përderisa Google Maps tashmë u lejon përdoruesve të menaxhojnë ndarjen e lokacionit dhe ndjekjen e kontakteve të besuara, përditësimi i aplikacionit Find My Device e bën gjetjen e këtyre informacioneve më të lehtë, me një prezantim më të thjeshtë.