Thonjtë mund të zbulojnë shumë rreth shëndetit tonë dhe procesit të plakjes.
Si ndryshojnë thonjtë me kalimin e viteve?
Sipas dermatologes Shari Lipner, struktura dhe cilësia e thonjve ndryshon me moshën. Ata bëhen më të hollë, më të brishtë dhe të prirur për të zhvilluar rrudha. Gjithashtu, humbin shkëlqimin e tyre natyral.
Gjatë jetës, rritja e thonjve ngadalësohet deri në 50%. Genetisti David Sinclair thekson se ky proces mund të jetë një tregues i plakjes.
Me kalimin e viteve, qarkullimi i gjakut ngadalësohet dhe niveli i keratinës – një proteinë thelbësore për rritjen e thonjve dhe flokëve – ulet. Kjo çon në ndryshime fizike si thonj më të brishtë, më të trashë ose me brazda më të theksuara.
Kur duhet të shqetësoheni?
Është e rëndësishme të dallohen ndryshimet natyrore të moshës nga shenjat e mundshme të problemeve shëndetësore. Disa ndryshime mund të jenë sinjal për nevojën e një kontrolli mjekësor, veçanërisht tek të moshuarit që janë më të rrezikuar nga sëmundjet kronike.
Ndryshimet e theksuara të ngjyrës së thonjve mund të tregojnë osteoporozë.
Trashja dhe enjtja e thonjve mund të jenë shenjë e problemeve me zemrën ose mushkëritë.
Thonjtë e bardhë ose të zbehtë mund të tregojnë sëmundje të mëlçisë ose anemi.
Thonj që hollohen papritur, krijojnë vija të errëta ose shkëputen nga baza e tyre mund të sinjalizojnë probleme serioze dhe kërkojnë konsultë me dermatologun.
Si të kujdeseni për shëndetin e thonjve?
Ndryshimet në thonj janë një pjesë normale e plakjes, por është e rëndësishme të monitoroni gjendjen e tyre pasi mund të pasqyrojnë probleme të brendshme shëndetësore. Sipas dermatologes Mona Sadegpur, ushqyerja dhe hidratimi luajnë një rol kyç në mirëmbajtjen e tyre.
6 këshilla për thonj të shëndetshëm:
Konsumoni ushqime të pasura me proteina, biotinë, hekur dhe acide yndyrore omega-3, si peshku, bishtajoret dhe arrat.
Nëse është e nevojshme, përdorni suplemente me biotinë (vitaminë B7), edhe pse efikasiteti i tyre nuk është plotësisht i provuar shkencërisht.
Pini mjaftueshëm ujë për të mbajtur trupin dhe thonjtë të hidratuar.
Mos i limoni thonjtë shumë shpesh, pasi kjo mund të dëmtojë strukturën e tyre.
Shmangni përdorimin e shpeshtë të acetonit, sepse i than dhe i bën thonjtë më të brishtë.
Kufizoni ekspozimin ndaj rrezeve UV. Nëse përdorni llamba UV për manikyr, aplikoni një krem mbrojtës ndaj diellit 20 minuta para ekspozimit.
Kujdesi i duhur për thonjtë jo vetëm që ndihmon në mirëmbajtjen e pamjes së tyre, por mund të kontribuojë edhe në shëndetin e përgjithshëm të trupit.