Për shumë njerëz, një mëngjes pa kafe është i paimagjinueshëm. Megjithatë, është e rëndësishme të kemi parasysh se konsumimi i kafesë mund të ndikojë në përthithjen dhe efikasitetin e disa medikamenteve. Studime të ndryshme tregojnë se kafja ndikon në metabolizmin, shpërndarjen dhe eliminimin e disa barnave, duke ndikuar drejtpërdrejt në efektin e tyre.
Megjithatë, jo të gjitha ilaçet preken nga kafja. Më poshtë, do të gjeni një listë të disa prej medikamenteve që nuk duhet të merren me kafe për të shmangur uljen e efikasitetit ose rritjen e efekteve anësore.
1. Barnat për Tiroiden
Pacientët që vuajnë nga hipotiroidizmi shpesh marrin medikamente për të rregulluar nivelin e hormoneve të tiroides. Studimet tregojnë se pirja e kafesë gjatë marrjes së këtyre barnave mund të ulë përthithjen e tyre deri në 50%, duke i bërë më pak efektive.
2. Medikamentet kundër alergjive dhe ftohjes
Barnat kundër alergjive shpesh përmbajnë pseudoefedrin, një stimulant i sistemit nervor qendror. Kur kombinohet me kafe, mund të shkaktojë nervozizëm dhe pagjumësi.
3. Barnat për diabetin
Kombinimi i kafesë me sheqer ose qumësht mund të rrisë nivelin e sheqerit në gjak dhe të ndikojë në efektivitetin e barnave për diabetin. Studime të ndryshme kanë treguar se kafeina mund të përkeqësojë simptomat e diabetit duke ndikuar në sekretimin e insulinës dhe duke rritur nivelet e sheqerit në gjak.
4. Barnat për demencën
Barnat e përdorura për sëmundjen e Alzheimerit nuk duhet të kombinohen me kafe. Kafeina mund të ndikojë në përthithjen e tyre dhe të zvogëlojë efektin mbrojtës që këto ilaçe kanë mbi neurotransmetuesit në tru.
5. Barnat për astmën
Pacientët me astmë shpesh marrin bronhodilatatorë të cilët relaksojnë rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, kafeja mund të përforcojë efektet anësore të tyre, si dhimbja e kokës, nervozizmi dhe problemet me tretjen, etj.
Për të shmangur ndërveprimet e padëshiruara mes kafesë dhe medikamenteve, rekomandohet:
Merrni ilaçet me ujë të thjeshtë për të siguruar përthithjen e tyre të plotë.
Prisni të paktën 30-60 minuta para se të konsumoni kafe pas marrjes së ilaçeve.
Konsultohuni me mjekun ose farmacistin tuaj për të kuptuar më mirë efektet e mundshme të kafeinës mbi ilaçet që merrni.
Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë kafenë një pjesë të pandashme të rutinës së tyre ditore, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për ndikimin që ajo mund të ketë në efikasitetin e disa medikamenteve. Për të shmangur reduktimin e efektivitetit të ilaçeve ose shtimin e efekteve anësore, këshillohet që ato të merren me kujdes dhe të shmanget konsumimi i menjëhershëm i kafesë pas marrjes së tyre.