Hudhra është një nga aleatët më të fuqishëm natyrorë për forcimin e imunitetit dhe luftimin e infeksioneve, falë vetive të saj antibakteriale, antivirale dhe antioksiduese. Studimet madje tregojnë se ajo mund të ndihmojë në parandalimin e disa llojeve të kancerit.
Megjithatë, një efekt anësor i padëshiruar është aroma e fortë që mbetet për orë të tëra pas konsumimit. Kjo ndodh sepse përbërjet e sulfurit të hudhrës futen në qarkullimin e gjakut gjatë tretjes dhe nuk mund të neutralizohen vetëm me larës të gojës. Për ta zbutur këtë erë, rekomandohet konsumimi i disa ushqimeve të pasura me fenole, si molla, sallata jeshile, selinoja, patatja, majdanozi, nenexhiku dhe kërpudhat. Studimet tregojnë se këto ushqime ndihmojnë në reduktimin e përbërjeve sulfurike në organizëm, duke minimizuar aromën e hudhrës në frymëmarrje.