Në muajt janar dhe shkurt, qielli i natës po ofron një spektakël të rrallë astronomik. Gjashtë planetë – Venusi, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni janë aktualisht të dukshëm në një vijë të njëjtë. Më 28 shkurt, këtij grupi do t’i bashkohet edhe Merkuri, duke krijuar një nga ngjarjet më të veçanta astronomike, të njohur si “parada e planetëve”.
Megjithëse këto ngjarje janë të jashtëzakonshme për vëzhguesit e qiellit, shkencëtarët debatojnë mbi ndikimin e tyre në sistemin tonë diellor. Disa studime sugjerojnë se rreshtimi i planetëve mund të ndikojë në aktivitetin diellor, ndërsa të tjerë e shohin atë si një rastësi orbitale. Përveç ndikimeve të mundshme, këto përkim qiellore janë të rëndësishme për kërkimet shkencore, pasi ato ndihmojnë në eksplorimin e sistemit diellor përmes sondave hapësinore.
Një shembull historik është misioni Voyager 2, i cili në vitin 1977 përfitoi nga një rreshtim i rrallë i planetëve për të vizituar Jupiterin, Saturnin, Uranin dhe Neptunin në vetëm 12 vjet – një arritje që pa këtë fenomen do të kërkonte mbi 30 vjet. Po ashtu, kjo dukuri ndihmon në identifikimin e ekzoplaneteve përmes metodës së tranzitit, duke mundësuar analizën e atmosferave të tyre.
Parada e planetëve mbetet një nga shfaqjet më mahnitëse astronomike dhe një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar misteret e universit tonë. NASA rekomandon që entuziastët e astronomisë të përfitojnë nga ky fenomen për të vëzhguar planetët me teleskop ose me sy të lirë, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.