Akademia Amerikane e Filmit dhe Shkencës do të shpallë sot në Los Anxhelos listën e filmave të nominuar për çmimet Oscar. Ceremonia e 97-të e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 2 mars në teatrin Dolby në Hollywood.
Për shkak të dy shtyrjeve të shkaktuara nga zjarret në Los Anxhelos, nominimet këtë vit do të shpallen online, njoftoi Akademia.
Sipas mediave amerikane, pretendentët kryesorë për çmimet e këtij viti mund të jenë filmat “Emilia Perez”, “Konklava” dhe “The Brutalist”.
Kriteret për nominim
Sipas rregullave të Akademisë, një film duhet të jetë shfaqur në zonën e Los Anxhelosit nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar për të qenë i pranueshëm për nominim. Ky rregull nuk zbatohet për filmat e huaj.
Filmat e nominuar duhet të jenë me metrazh të gjatë, me një kohëzgjatje minimale prej 40 minutash, përveçse në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër. Procesi i votimit përfshin mijëra anëtarë të Akademisë, të cilët votojnë kryesisht në kategoritë e tyre profesionale. Për çmimin e filmit më të mirë, votimi është i hapur për të gjithë anëtarët.
Filmat e huaj duhet të kenë titra në anglisht dhe çdo vend mund të paraqesë vetëm një film në këtë kategori.
Kategoritë kryesore dhe statuja e çmimit
Oscar jepet në 24 kategori, përfshirë filmin më të mirë, regjinë, aktorin dhe aktoren kryesore, aktorin dhe aktoren dytësore, skenarin origjinal dhe të adaptuar, si dhe për filmin më të mirë të huaj, dokumentar dhe të animuar. Çmime të rëndësishme ndahen edhe për muzikën dhe efektet speciale.
Statuja e çmimit Oscar është e artë, e punuar nga britaniumi mbi një bazë metalike të zezë. Ajo ka një gjatësi prej 34 cm dhe peshon 3.85 kg, duke përfaqësuar një kalorës në stilin art-deco që mban një shpatë mbi një rul filmi.
Historia dhe transmetimi i ceremonisë
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar është një nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë së filmit dhe gjithashtu më e vjetra në botën e medias. Akademia u themelua nga Louis B. Mayer, drejtuesi i studios Metro-Goldwyn-Mayer.
Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti amerikan ABC, ndërsa këtë vit prezantues për herë të parë do të jetë aktori dhe producenti Conan O’Brien.
Vitin e kaluar, fituesi më i madh ishte filmi “Oppenheimer” i Christopher Nolan, i cili fitoi shtatë Oscar, përfshirë çmimin për regjinë më të mirë, aktorin më të mirë dhe aktorin më të mirë dytësor.
