Truri duhet trajtuar si një fond pensioni: sa më herët të investosh, aq më shumë përfiton më vonë. Lëvizja, ushqimi i shëndetshëm dhe kureshtja mendore ndihmojnë që truri të mbetet i fortë dhe funksional me kalimin e viteve ka shkruar The New York Post.
Doktori Bruce Mayerson, bashkëdrejtues i neuroshkencave në Catholic Health dhe shef i neurologjisë në Spitalin St. Catherine of Siena, ka ndarë gjashtë këshilla kryesore për shëndetin e trurit.
Ushqehu thjeshtë dhe shëndetshëm
Mayerson rekomandon dietën mesdhetare, e njohur për efektin e saj kundër inflamacionit. Kjo dietë përfshin fruta, perime, drithëra të plota, bishtajore, arra dhe vaj ulliri, ndërsa peshku dhe mishi i bardhë konsumohen me masë.
Arroret janë veçanërisht të dobishme për trurin.
“Rekomandoj sidomos arrat indiane, bajamet dhe kikirikët”, ka thënë Mayerson.
Sa i përket mishit të kuq, ai sugjeron kufizim dhe jo përjashtim total.
“Është burim i mirë proteinash, por është edhe ushqim me shumë yndyrë. Në përgjithësi, mishi i pulës dhe shpezëve është zgjedhje më e mirë, sidomos për ata që kanë probleme me yndyrë në gjak”, ka thënë doktori.
Qëndro social dhe mendo pozitivisht
Një studim nga Universiteti i Floridës ka treguar se “mosha e vërtetë” e trurit ndikohet ndjeshëm nga mënyra e jetesës. Optimizmi, gjumi i mirë, menaxhimi i stresit dhe lidhjet sociale apo shoqërore funksionojnë si mjete kundër plakjes së trurit.
“Optimizmi dhe menaxhimi i stresit mund ta ngadalësojnë ndjeshëm plakjen e trurit, ndërsa lidhjet sociale janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sidomos me kalimin e moshës”, ka thënë Mayerson.
Ec çdo ditë
Si ushtrimet kardio, ashtu edhe ato të forcës janë të mira për trurin, sepse përmirësojnë qarkullimin e gjakut, kujtesën dhe ulin rrezikun e rënies së aftësive mendore.
“Ecja me ritëm të shpejtë mund të jetë po aq e dobishme sa vrapimi”, ka thënë Mayerson.
Ai sugjeron të vendoset një qëllim i përditshëm.
“Nëse i thua vetes se do të ecësh dy ose tre milje çdo ditë, në të njëjtën orë, hyn në një rutinë që e mban mendjen dhe trupin aktiv”, ka thënë ai.


