Mungesa e gjumit nuk është thjesht lodhje kalimtare, ajo mund të ketë pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), mungesa kronike e gjumit rrit rrezikun për diabet, sëmundje të zemrës, obezitet dhe depresion.
Por sa gjatë mund të qëndrojë realisht një njeri pa fjetur?
Rekordi i famshëm: 11 ditë pa gjumë
Në vitin 1963, 17-vjeçari Randy Gardner qëndroi zgjuar për 11 ditë e 25 minuta për një projekt shkencor, duke vendosur një rekord botëror. Megjithatë, Guinness ndaloi pranimin e rekordeve të tilla në vitin 1997 për shkak të rreziqeve serioze që lidhen me mungesën e gjumit.
Çfarë ndodh pas 24 orësh pa gjumë?
Ekspertët thonë se shumica e njerëzve kanë nevojë për 6–8 orë gjumë çdo natë. Por pas 24 orësh pa gjumë:
- Ulet koha e reagimit
- Dobësohet koordinimi (e krahasueshme me 0.1% alkool në gjak)
- Dëmtohet memoria dhe vendimmarrja
- Shfaqen irritim dhe konfuzion
Truri fillon të përjetojë “mikrogjumë” – episode shumë të shkurtra ku kalon në gjendje gjumi pa e kuptuar personi.
Pas 36–72 orësh
- Rriten shenjat e inflamacionit në trup
- Çrregullohen hormonet
- Ngadalësohet metabolizmi
- Shfaqen ankth, depresion dhe halucinacione
Pas 72 orësh, funksionet njohëse përkeqësohen ndjeshëm.
Ekspertët theksojnë se “borxhi i gjumit” grumbullohet. Për çdo orë gjumë të humbur, duhen deri në 8 orë për rikuperim të plotë. Pra, nuk mjafton vetëm një natë e gjatë pushimi për të kompensuar mungesën e vazhdueshme.
Mungesa e gjumit është aq e dëmshme sa konsiderohet joetike të studiohet në mënyrë të qëllimshme te njerëzit për periudha të gjata. Në raste ekstreme, privimi i gjumit është përdorur si formë torture psikologjike.


