Kur ecim në rrugë dhe në një moment ndjejmë erën e specave të pjekur në ajër, e dimë se ka filluar periudha e përgatitjes së turshive të dimrit.
Fakt është se në muajt e vjeshtës dhe të dimrit, pothuajse asnjë tryezë nuk mund të imagjinohet pa turshi tradicionale me një recetë origjinale.
Për më tepër, përgatitja e turshive është një nga mënyrat më të vjetra të ruajtjes së ushqimit.
Megjithatë, a e keni pyetur ndonjëherë veten – a është e shëndetshme turshia dhe cilat janë përfitimet e saj shëndetësore?
Në çfarë mënyre na ndihmon turshia për të qenë të shëndetshëm?
Në kuptimin e vërtetë të fjalës, turshi do të thotë fermentim i perimeve.
Ky lloj i përgatitjes së ushqimit siguron marrjen e ushqimeve të pasura me vlera ushqyese gjatë periudhës kur perimet e freskëta nuk janë ne dispozicion.
Përgatitja e turshive, pra fermentimi i perimeve ka një traditë të gjatë dhe është një nga mënyrat më të mira, më të thjeshta dhe më efektive për të ruajtur freskinë e perimeve deri në ardhjen e pranverës.
Kur përgatiten turshitë, ndodh i ashtuquajturi proces i fermentimit, gjatë të cilit niseshteja dhe sheqernat nga perimet shndërrohen në acid laktik .
Kjo është arsyeja pse turshitë kanë shijen e tyre karakteristike të thartë.
Nga ana tjetër, kur laktobacilet shumohen në perimet turshi, atëherë ka një prodhim më të madh të enzimave të dobishme dhe substancave antikancerogjene në turshi.
Laktobacilet janë në fakt baktere të dobishme dhe të mira që mundësojnë funksionimin e duhur të aparatit tretës, mbështesin tretjen dhe forcojnë imunitetin tonë.
Janë pikërisht laktobacilet nga turshitë që mundësojnë rritjen e sasisë së vitaminave B, acideve yndyrore omega 3, dhe enzimave tretëse.
Në të njëjtën kohë, këto baktere luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër qelizave kancerogjene dhe baktereve patogjene.