Now Playing                 Marketing                Support Centre
The Music You Love    +383(38) 240 888    valarinore@yahoo.com       

konkurs 2016

 Listen on:  android 2017 Android  iphone  iOS  
Tuesday, 22 November 2022 12:02

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu flet për dhunën ndaj grave: “Martesa nuk është arenë luftimi, dhuna duhet raportuar”

albulena haxhiu

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, prej kohësh ka shprehur shqetësimin e saj për dhunën fizike ndaj grave, vajzave e fëmijëve, duke thënë se situata në vend është alarmante sa i përket dhunës në familje.

 

Në deklaratat e saj, Ministrja Haxhiu ka thënë se luftimi i dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave është një prej zotimeve në programin e Qeverisë së Kosovës.

 

Ndërkohë, në një intervistë për “Radio Vala Rinore”, Ministrja Haxhiu, ka folur më konkretisht rreth rolit kryesor që ka Ministria e Drejtësisë në hartimin e politikave kundër dhunës në familje dhe baza gjinore, por edhe për veprimet e ndërmarra deri më tani.

 

“Ministria e Drejtësisë, përveç përgjegjësive që ka, përcaktuar me Kushtetuten e Kosovës, por edhe me rregulloren e Qeverisë, ka edhe mandat të saj hartimin e politikave kundër dhunës në familje dhe ato në bazë gjinore. Duke qenë të shqetësuar me rritjen e rasteve të dhunës në familje, që nga fillimi i mandatit ne kemi funksionalizuar, hartuar, por edhe votuar strategjinë nacionale kundër dhunës në familje. Është një dokument tejet i rëndësishëm, që përcakton detyrat e secilit institucion në raport me adresimin e këtyre rasteve, por edhe aspektit të mbrojtjes dhe trajtimit dinjitoz të viktimës. Po ashtu, së fundi kemi mundësuar edhe ndihmën juridike falas për viktimat e dhunës në familje. Dhuna në familje nuk është çështje private, është obligim i institucioneve që ta adresojnë këtë fenomen dhe që të mbrojnë jetën e vajzave dhe grave. Gjithashtu, kemi eliminuar procedurat burokratike për kompensimin e viktimave të krimit dhe e kemi finalizuar protokollin shtetëror për raste e dhunimeve seksuale. Së fundi kemi adresuar ndryshime të shumta në Kodin Penal dhe atë të procedurës penale, ku parashihen dënime plotësuese për persona që shpallen fajtor”.

 

Ministrja Haxhiu, ka pasur edhe një thirrje për institucionet për adresim të këtij fenomeni, duke thënë se bashkëpunimi institucional dhe adresimi i përgjegjësive të Policisë dhe Prokurorisë, por edhe dënimet meritore ndaj dhunuesve, janë çelësi i zgjidhjes së problemit. Ajo, ka bërë thirrje që institucionet ta kryejnë punën e tyre, ashtu sikurse Qeveria po e kryen punën e saj në këtë aspekt.

 

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka pasur edhe një mesazh për gratë dhe vajzat në Kosovë, duke thënë se ato nuk duhet të tolerojnë asnjë lloj dhune, qoftë fizike, psikike, seksuale, apo edhe financiare.

 

“Jeta e grave është po aq e rëndësishme sa ajo e burrave, andaj pse duhet dikush t’ia japë të drejtën vetës ta cenoj dinjitetin dhe integritetin e dikujt tjetër. Askush nuk e ka këtë të drejtë. Nuk mund ta duash dikë dhe të ushtrosh dhunë. Martesa, apo bashkëjetesa, nuk duhet të jetë arenë luftimi. Dhuna duhet të raportohet kurdo dhe kudo që ajo ndodh”, tha në fund të intervistës dhënë për Radio Vala Rinore”, Ministrja Haxhiu.

Submit to FacebookSubmit to Twitter