Now Playing                 Marketing                Support Centre
The Music You Love    +383(38) 240 888    valarinore@yahoo.com       
 Listen on:  android 2017 Android  iphone  iOS  

Shëndeti i komunitetit LGBTI në Kosovë në kontekstin e përhapjes së COVID-19

lgbti1

Për te kuptuar me shume rreth temës: Shëndeti i komunitetit LGBTI në Kosovë në kontekstin e përhapjes së COVID-19, kemi biseduar me: Dr. Izet Sadiku - infektolog dhe drejtor i qendrës për testimin për HIV/AIDS ne QKUK dhe Antigona Qena Sejdiu - psikologe klinike.

 

Në këtë program trajtojmë aspektin më të rëndësishëm të jetës së njeriut: shëndetin. Të qenit i shëndetshëm, do të thotë të jesh i aftë për ta përballuar jetën me forcë, pavarësisht sfidave, ballafaqimeve me gjëra të ndryshme, apo ndryshimeve.

 

Për të gëzuar shëndet të mirë, duhet treguar kujdes të shtuar nga çdo lloj veprimi, e sidomos nga iniciativat a veprimet rriskuese. Në kohën e pandemisë me Covid 19-të, marrja e kujdesit shëndetësor nga ekipet mjekësore në sektorin publik, është vështirësuar.

 

Gjithandej ka frike për të shkuar në klinika, për shkak të mundësisë së atakimit me korona virusin e ri Covid 19, por edhe se ekipet mjekësore janë tejet të angazhuara me trajtimin e të prekurve nga virusi. Infektologu Izet Sadiku nga Klinika Infektive në QKUK, thotë se duhet pasur shumë kujdes me shëndetin, pasi në këtë periudhë vëmendja është thuajse plotësisht e orientuar kah personat e infektuar me Covid 19-të.

 

Duke folur për personat e komunitetit LGBTI dhe trajtimin e tyre në këtë kohë, Dr. Sadiku thotë se as virusi e as stafi mjekësor, nuk bënë dallime në orientime seksuale.

 

Pra, personat me orientim seksual ndryshe nuk mund të jenë më të afektuar nga virusi dhe gjithashtu ekipet mjekësore nuk bëjnë asnjë dallim apo ndasi sa i përket trajtimit të tyre adekuat dhe sipas protokolleve të përcaktuara.

 

Infektologu, shton se personat LGBTI duhet të bëjnë shumë kujdes se me kë takohen dhe të minimizojnë kontaktet e afërta për tu mbrojtur nga virusi Covid 19, por edhe infeksionet tjera, që në këtë periudhë mund të trajtohen vetëm në klinika private dhe jo në QKUK, kjo për shkak të mbingarkimit të Klinikës Infektive me pacientë të infektuar me korona virus.

..........

Përveç problemeve shëndetësore që COVID-19 ka sjellë për miliona njerëz në botë, është edhe një pjesë e madhe e atyre që kanë përjetuar edhe probleme me shëndetin mendor.

 

Rastet me depresion dhe ankth janë rritur ndjeshëm, kjo kryesisht për shkak të izolimit dhe frikës nga infektimi me Covid 19-të. Në këtë kohë, ka ndryshuar dinamika e zakonshme e jetës së njerëzve, duke vënë një standard jashtë të zakonshmes, i cili bashkë me ritmin e punëve dhe aktiviteteve, ka luhatur edhe perceptimet dhe shëndetin mendor në përgjithësi.

 

Të pa prekur në këtë aspekt, si pasojë e izolimit, nuk kanë shpëtuar as personat e komunitetit LGBTI, një pjesë e madhe e të cilëve janë detyruar që gjatë kësaj periudhe të rrinë gjatë gjithë kohës në shtëpi, vendin që shpesh di të jetë edhe vatër e paragjykimit, e siç është raportuar shpesh, edhe e dhunës psikologjike e fizike për personat me orientim seksual ndryshe.

 

Duke kuptuar vështirësitë psikologjike që mund të sjellë situata e shkaktuar nga pandemia e COVID-19, në Kosovë është ofruar mundësia për shërbime psikologjike online falas.

 

Kjo vjen falë iniciativës së mbi 15 profesionistëve: Psikologë, Psikoterapistë, Psikiatër dhe Neurologë, të cilët kanë ndihmuar dhe vijojnë të ndihmojnë rastet apo personat të cilët ndjejnë ose përjetojnë frikë, ankth, stres, ngufatje apo panik, mërzitje e depresion, si rezultat i distancimit shoqëror dhe karantinimit, përfshitë këtu edhe personat e komunitetit LGBTI, të cilët sipas psikologes klinike Antigona Qenaj-Sejdiu, kanë kërkuar ndihmë për problemet e tyre dhe e kanë marrë atë në kohë reale nga profesionistët e “Nokta Group”, themeluar nga Shoqata e Psikoterapeutëve të Kosovës (SHPK).

 

Psikologia klinike, tregon se izolimi ka ndikuar keq tek personat me orientim ndryshe, pasi nuk kanë pasur mundësi të takojnë të tjerë persona të komunitetit, të hapen dhe bisedojnë, ndërkohë që njëkohësisht është dashur të rrinë ndoshta në ambiente ku homofobia është ndjeshëm më e theksuar. Psikologia, ka trajtuar edhe vetë raste të tilla gjatë kësaj periudhe sfiduese për të gjithë.

 

Për këto dhe te tjera me rendësi, dëgjojeni programin.

 

Ky program realizohet ne kuadër te aksionit: Promovimi i diversitetit dhe barazisë ne Kosove dhe përkrahet nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura ne këtë program në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë mendimin zyrtar të Bashkimit Evropian ose Këshillit të Evropës ”.

 

 

LGBTI Promo

 

RDN second program on LGBTI 2020