Thursday, 17 August 2017

Sa vezë mund t’i konsumojmë në javë

Friday, 11 August 2017 10:22

hard cooked eggs

Shumë nutricionistë thonë se vezët janë një "super-ushqim" i cili na ofron të gjithë përbërësit e nevojshëm. Megjithatë, sa vezë janë të sigurta për t’u ngrënë çdo javë, duke pasur parasysh sasinë e yndyrës që ato e përmbajnë?

Nutricionistja, Keri Gans, autore e "The Small Change Diet", mendon se dy vezë në ditë është një sasi e duhur.

 

Duke pasur parasysh se organizmi i secilit është i ndryshëm, ashtu si edhe shprehitë tona të ngrënies, atëherë është e nevojshme të marrim në konsideratë edhe pjesën tjetër të dietës dhe të shohim se nga ku vjen pjesa tjetër e yndyrave të ngopura të cilat i konsumojmë.

 

"Është në rregull t’i hamë dy vezë në ditë, por nëse i hani me shumë gjalpë ose djathë, atëherë gjithsesi bëni kujdes se sa kalori dhe yndyrë po futni në organizmin tuaj", thotë kjo nutricioniste.

 

Ajo thotë se veza është ushqim integral dhe ai duhet të konsumohet si i tillë, dhe jo të ndahet e bardha nga e verdha.

 

"Ekzistojnë ushqyes të caktuar në të verdhën e vezës të cilët nuk do t’i merrni nga veza nëse e hani vetëm të bardhën e saj. Të gjitha vitaminat e tretshme në yndyra gjenden në të verdhën e vezës prandaj, nëse e largoni atë, bashkë me të largoni edhe yndyrën, por edhe të gjitha substancat e tjera të rëndësishme ushqyese", shpjegon Gans.

 

Një vezë e madhe pule e ka një mesatare prej 80 kalorive, pesë gramë yndyrë, gjashtë gramë proteina dhe sasi të vogla të karbohidrateve, që është arsyeja se pse veza është një ushqim ideal për ata që duan ta bazojnë dietën e tyre në konsum të zvogëluar të karbohidrateve dhe sasi të shtuar të yndyrës dhe proteinave, si p.sh. dieta ketogjenike.